Ndihma sipas fushave

Ndihma për kërkim, zhvillim dhe inovacion

Ndihma për mbrojtjen e mjedisit

Ndihma për shpëtim dhe ristrukturim

Ndihma për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

Ndihma për punësim

Ndihma për trajnim

Ndihma për kulturën dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore

 

Ndihma për kërkim, zhvillim dhe inovacion

Ndihma për K&ZH&I është e rëndësishme për rritjen ekonomike dhe forcimin e konkurrencës. Projektet e K&ZH&I shpesh bartin rreziqe të larta dhe nuk mund të zbatohen  pa mbështetjen shtetërore, duke sjellë detyrimin për zbatimin e rregullave të ndihmës shtetërore. Sipas legjislacionit të ndihmës shtetërore, në qoftë se ndihma për kërkim dhe zhvillim dhe inovacion cilësohet si ndihmë shtetërore, ajo mund të autorizohet/miratohet, me kusht që të përmbushë kriteret e përcaktuara. Disa shembuj masash për kërkim dhe zhvillim dhe inovacion, të cilat mund të lejohen janë:

  1. Ndihma për projektet e kërkimit dhe zhvillimit;
  2. Ndihma për investime në infrastrukturën e kërkimit;
  3. Ndihma për klasterat e inovacionit;
  4. Ndihma për inovacionin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme;

Ndihma për mbrojtjen e mjedisit

Mbrojtje e mjedisit nënkupton çdo veprim që synon të korrigjojë ose parandalojë dëmtimin e mjedisit fizik të burimeve natyrore, ose të inkurajojë përdorimin efikas të këtyre burimeve. Ndihma shtetërore për mbrojtjen e mjedisit ka për qëllim të sigurojë jo vetëm që tregjet të funksionojnë në mënyrë konkurruese, por edhe që kërkesat për mbrojtjen e mjedisit të integrohen me politikat e konkurrencës, veçanërisht me qëllimin për të promovuar një zhvillim të qëndrueshëm.

Ndihma për mbrojtjen e mjedisit mund të jepet për qëllime të tilla si:

  1. Ndihmë për investim për eficencën e energjisë;
  2. Ndihmë për investim për projektet e eficencës së nxehtësisë në ndërtesa;
  3. Ndihmë për investim për nxitjen e nxehtësisë nga burime të rinovueshme;
  4. Ndihmë operacionale për nxitjen e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme;
  5. Ndihmë për investim për rehabilitimin e zonave të ndotura;
  6. Ndihmë për investim për riciklimin dhe ripërdorimin e mbetjeve;,
  7. Ndihmë për investim për infrastrukturën e energjisë;
  8. Ndihmë për studime mjedisore.

Ndihma për shpëtim dhe ristrukturim

Ndihma për shpëtim është një mbështetje financiare për një ndërmarrje në vështirësi, për një periudhë kohore gjatë së cilës duhet të përgatitet plani i ristrukturimit ose i likuidimit. Ndihma për shpëtim, në mënyrë që të miratohet, duhet të jepet në likuiditet, në formën e huave ose garancive të huave, me çmimin e tregut, të justifikohet për shkak të vështirësive serioze sociale, dhe të mos sjellë efekte negative mbi mjedisin konkurrues. Ndihma për shpëtim jepet për gjashtë muaj dhe mund të zgjatet në rrethana të jashtëzakonshme.

Ndihma për ristrukturim është një mbështetje financiare, që jepet  për ristrukturimin e veprimtarisë së një ndërmarrjeje dhe sigurimin, brenda një periudhe të arsyeshme, të rentabilitetit afatgjatë të saj. Në mënyrë që ndihma për ristrukturim të miratohet, duhet që dhënësi të paraqesë një plan rentabël ristrukturimi, vlera dhe intensiteti i ndihmës të kufizohet deri në kostot e nevojshme dhe përfituesi duhet të mbulojë pjesën më të madhe të kostos me burimet e veta.

Ndihma për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

Legjislacioni i ndihmës shtetërore parashikon rregulla të veçanta që zbatohen ekskluzivisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM). Kështu, NVM-të janë subjekt i përfitimit të ndihmës shtetërore, sipas këtyre kategorive:

  1. Ndihmë për investime
  2. Ndihmë për ndërmarrjet e vogla të sapokrijuara nga sipërmarrëset femra
  3. Ndihmë për këshillim;
  4. Ndihmë për pjesëmarrje në panaire;
  5. Ndihmë për riskun financiar;
  6. Ndihmë për “Start up”.

Ndihma për punësim

Ndihma për punësim, si ndihmë me karakter horizontal, jepet për:

  1. Rekrutimin e punonjësve në vështirësi, në formën e subvencionimit të pagave.
  2. Punësimin e punonjësve me aftësi të kufizuara në formën e subvencionimit të pagave.
  3. Mbulimin e kostove shtesë për punësimin e punonjësve me aftësi të kufizuara.

Ndihma për trajnim

Ndihma për trajnim zbatohet kur shteti ofron mbështetje për trajnim, për të favorizuar një apo disa ndërmarrje, ose sektorë të industrisë, duke reduktuar kostot që do të duhet të mbuloheshin nga ata vetë kur duan që punonjësit e tyre të fitojnë aftësi të reja. Kjo ndihmë zbatohet, si në rastet kur trajnimi kryhet nga vetë ndërmarrja, ashtu edhe nga qendrat e trajnimit privat apo publik.

Koncepte në lidhje me ndihmën për trajnim:

trajnimi specifik është trajnimi që përfshin shkollimin e drejtpërdrejtë dhe në parim të zbatueshëm për punonjësit ekzistues, ose vendet e ardhshme të punës në ndërmarrjet e ndihmuara dhe që siguron kualifikime, të cilat nuk janë të transferueshme, ose janë shumë pak të transferueshme tek ndërmarrjet ose sektorët e tjerë.

trajnim i përgjithshëm është trajnimi që përfshin shkollimin, që nuk është i zbatueshëm vetëm ose kryesisht për punonjësit ekzistues dhe për vendet e ardhshme të punës në ndërmarrjet e ndihmuara, por që siguron kualifikime, që janë shumë të transferueshme tek ndërmarrjet ose sektorët e tjerë dhe, në këtë mënyrë, përmirëson dukshëm mundësinë e punonjësve për të gjetur punë.

kosto të pranueshme në ndihmën për trajnim konsiderohen:

  1. Kostot personale të trajnuesve;
  2. Shpenzimet e udhëtimit të trajnuesve dhe të të trajnuarve;
  3. Shpenzime të tjera qarkulluese, të tilla si: materialet dhe furnizimet;
  4. Amortizimi i mjeteve dhe pajisjeve në masën që ato përdoren vetëm për projektin e trajnimit;
  5. Kostoja e udhëzimit dhe shërbimeve këshillimore që lidhen me projektin e trajnimit;
  6. Kostot personale të të trajnuarve deri ne vlerën e totalit të kostove të tjera të pranueshme të referuara në (1) deri (5). Mund të llogariten vetëm orët gjatë të cilave të trajnuarit marrin pjesë në trajnim, pas zbritjes së ndonjë ore prodhuese ose ekuivalentit të tyre.

Ndihma për kulturën dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore

Komisioni i Ndihmës Shtetërore mund të autorizojë ndihmën shtetërore,  nëse ajo nxit zhvillimin kulturor dhe ruajtjen e trashëgimisë, deri në atë masë sa nuk ndikon ndjeshëm në kushtet e tregtisë dhe në konkurrencë (Neni 13. shkronja d) i Ligjit Nr.9374/2005).

Kjo faqe është krijuar me mbështetjen e Qeverisë Gjermane, projekti i GIZ: Mbështetje për përafrimin e legjislacionit ekonomik dhe tregtar me acquis e BE-së.

Top