Rreth Ndihmës Shtetërore

Pse kontrollohet ndihma shtetërore?

Një ndërmarrje (çdo person fizik ose juridik, privat ose publik, që kryen veprimtari ekonomike), në momentin kur merr mbështetjen e organeve dhe institucioneve të administratës shtetërore fiton një avantazh kundrejt konkurrentëve të tjerë. Legjislacioni shqiptar (edhe ai i Bashkimit Evropian) e ndalon ndihmën shtetërore, përvec rasteve kur është e justifikuar për arsyet e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.

Për ta zbatuar këtë rregull ekzistojnë strukturat e kontrollit të ndihmës shtetërore (Sektori i Kontrollit të Ndihmës Shtetërore dhe Komisioni i Ndihmës Shtetërore).

Çfarë është ndihma shtetërore?

Ndihma shtetërore është avantazh i çfaredo lloj forme që i jepet në mënyrë selektive ndërmarrjeve nga të gjitha organet dhe institucionet e administratës shtetërore. Kjo do të thotë se, subvencionet që akordohen për individë apo masat e përgjithshme që ofrohen për të gjitha ndërmarrjet nuk përbëjnë ndihmë shtetërore (si p.sh. taksimi i përgjithshëm apo legjislacioni i punësimit).

Një mbështetje shtetërore është ndihmë shtetërore, atëherë kur:

  • shteti ofron burime shtetërore në forma të ndryshme (p.sh. grante, lehtësi tatimore, garanci shtetërore, aktive të prekshme/paprekshme të organeve dhe institucioneve të administratës shtetërore, mallra dhe shërbime në kushte të favorshme, etj);
  • i jep avantazh një ndërmarrje në mënyrë selektive (një ndërmarrje apo sektori të veçantë të industrisë, ose ndërmarrje të vendosura në zona të caktuara);
  • konkurrenca është shtrembëruar ose mund të shtrembërohet;
  • ka shumë të ngjarë të ndikojë në tregtinë midis vendeve.

Ekzistojnë disa raste kur ndërhyrja e organeve dhe institucioneve të administratës shtetërore është e nevojshme për zhvillimin ekonomik të vendit. Për këtë arsye legjislacioni ka parashikuar lejimin e ndihmës shtetërore.

Legjislacioni i ka përcaktuar se kush janë ndihmat shtetërore që lejohen.

Si verifikohet ndihma shteterore?

Komisioni i Ndihmës Shtetërore është organi vendimmarrës për kontrollin e ndihmës shtetërore, i pavarur në kryerjen e funksioneve të tij.

Sektori i Kontrollit të Ndihmës Shtetërore është struktura administrative e kontrollit të ndihmës Shtetërore, e vendosur në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizimit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Fuqia e ushtrimit të këtyre kompetencave  vjen nga procedura e njoftimeve.

Lexo për procedurën që Sektori i Kontrollit të Ndihmës Shtetërore ndjek gjatë procesit të investigimit.

Skemat e ndihmës mund të zbatohen vetëm pasi të kenë marrë autorizimin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore. Komisioni ka fuqinë për të urdhëruar kthimin e ndihmës së paligjshme.

Ndërmarrjet dhe konsumatorët janë gjithashtu aktorë të rëndësishëm, të cilët mund të bëhen shkas për fillimin e hetimeve nëpërmjet paraqitjes së ankesave drejtuar Komisionit.

Cilat janë procedurat?

Njoftimi i ndihmës shtetërore

  1. Dhënësi i ndihmës duhet të njoftojë pranë strukturës përgjegjëse, të çdo plani për dhënien e ndihmës.
  2. Struktura përgjegjëse njofton brenda 15 ditëve pune dhënësin e ndihmës për marrjen e këtij njoftimi.
  3. Në njoftim, dhënësi i ndihmës duhet të sigurojë të gjithë informacionin e nevojshëm për marrjen e një vendimi.

Lexo për procedurën e njoftimit, vlerësimit dhe miratimit të ndihmës shtetërore.

Kjo faqe është krijuar me mbështetjen e Qeverisë Gjermane, projekti i GIZ: Mbështetje për përafrimin e legjislacionit ekonomik dhe tregtar me acquis e BE-së.

Top